Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka vazhduar kritikat ndaj veshjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe bashkëshortes e të bijës së tij në festivalin e filmit në Kanë të Francës, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një shkrimi në faqen e saj në Facebook, Kuçi ka thënë se investimi që Kurti po ia bën imazhit të tij, ka për qëllim që t’ua largojë nga kujtesa e njerëzve pamjet e tij prej një protestuesi.
“Nuk është fustani, as këpucët, as kravata, në vetvete. Eshtë stili i jetës, janë vlerat që pretendohen: superioriteti kulturor. E kemi parë Kurti të investojë në imazhin e tij, më gjasë për ta larguar nga kujtesa e njerëzve pamjen e tij prej protestuesi.”
Kuçi ka thënë se përkundër që kryeministri Kurti e mohon se është i dhënë pas botës materiale, sipas saj, ai nuk u thotë jo privilegjeve.
Zëdhënësja e PSD-së ka shkruar se huazimi i rrobave, shkëlqimi i këpucëve, biletat e hotelet falas, qiraja e ulët banimi e shoferi personal, janë vetëm disa nga shërbimet që i merr Kurti, pa pasur nevojë t’i shkruaj në deklarim të pasurisë, pa pasur nevojë t’i evidentojë si pronë.
“Në njërën anë përmes mosposdesimit privat të pasurisë thotë që ai nuk është i dhënë pas botës materiale, luksit, por në anën tjetër i shijon të gjitha ato privilegje, të cilave nuk ju tha ‘jo’. Sepse shijimet e tij nuk mund ta korruptojnë atë, por vetëm atë”, shkroi ndër të tjera ajo në Facebook./Gazeta Sinjali/