image Kthehet në punë togeri që ishte suspenduar për arratisjen e të dyshuarit nga stacioni policor në Gjakovë

Kosovë

Skandali policor/ Kthehet në punë togeri që ishte suspenduar për arratisjen e të dyshuarit nga stacioni policor në Gjakovë

news image

Togeri Flamur Frrokaj, i cili ishte suspenduar pas natës kritike të arratisjes së të dyshuarit nga Stacioni Policor në Gjakovë, është kthyer në punë, shkruan Gazeta Sinjali.

Zyrtari policor që dyshohet se ka qenë përgjegjës për mbajtjen nën kontroll të të dyshuarit, ka kaluar masën e suspendimit, gjatë dy ditëve të fundjavës.

Në fakt, masa disiplinore ndaj tij i ka shërbyer më shumë si pushim vikendi, pasi ai ka rifilluar punën prej ditës së hënë.

Vendimin për këtë e ka marr drejtori rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta i cili e ka bërë të ditur lajmin për Gazetën Sinjali pasi është pyetur për këtë çështje.   

“Autoriteti i drejtorit rajonal ka qenë për suspendim 48 orësh me i dhënë hapësirë fillimit të procedurës së hetimeve ndaj tij. Vendim të cilin e ka marr në natën kritike pas dy ditësh duke përfshi edhe vikendin , të hënën i njëjti është kthy në punë. Drejtoria e Përgjithshme nuk ka vendos me ia vazhdu më tutje suspendimin ndërsa lënda është procedurë në drejtori të përgjithshme.”, ka thënë Graishta për Gazetën Sinjali.

Togeri Flamur Frrokaj dyshohet se është përgjegjësi kryesor që për shkak të papërgjegjshmërisë profesionale, ka mundësuar arratisjen e të dyshuarit për veprimtari kriminale nga Stacioni Policor në Gjakovë.

I arrestuari i kishte ikur atij nga kontrolli përmes dinakërisë duke e vënë në lajthitje se kishte nevojë të shkonte në tualet. Me këtë rast, të dyshuarit i ishin hequr prangat dhe kishte ikur në drejtim të panjohur.

Siç ka raportuar ekzkluzivisht Gazeta Sinjali, personi i dyshuar u arratis në natën e 14 nëntorit ndërsa policia, as pas pesë ditë kërkimesh, nuk ka arritur ta arrestoj ende atë ose ta lokalizoj vendndodhjen e tij.

Ai është në kërkim nga Gjykata për veprimtari kriminale.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë kur raste të tilla skandaloze ndodhin në stacionin Policor në Gjakovë.

Kohë më parë  komandanti i këtij stacioni, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarë policorë ishin përfshirë në një skandal pasi kishin përdorur dhunë dhe torturë ndaj një personi me duar të lidhura brenda stacionit policor. Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria./ Gazeta Sinjali/