Një avion transporti C-17 zbriti në Delaware të Shteteve të Bashkuara me trupat e 11 marinsave, të cilët humbën jetën nga shpërthimi i së enjtes në aeroportin e Kabulit.
Pak përpara tij, në të njëjtën pistë kishte zbritur avioni i presidentit që dha urdhrin t`i jepej fund luftës më të gjatë të Amerikës, duke u bërë shkas për operacionin masiv të evakuimit gjatë të cilit humbën jetën trupat e SHBA-së, shumica e të cilëve pak më të mëdhenj se 20 vjeç.
Marrëdhënia e Bidenit me luftën ka qenë e komplikuar për dy dekada, e ishte e komplikuar edhe në atë ceremoni, thotë New York Times.
Në momentin kur presidenti përgatitej të takohej me familjarët e marinsave të vrarë, zyrtarët ushtarakë amerikanë konfirmuan një sulm me dron të SHBA-së në Kabul.
Shënjestra sipas tyre ishte një person i dyshuar si kamikaz, por një zëdhënës taleban pohoi se nga sulmi u vranë dhe civilë, shumica pjesëtarë të së njëjtës familje.
Biden preferoi të mos fliste për atë ngjarje, ndërkohë që vetëm pak më parë, kishte mbushur sërish faqet online me lajmin se e kishte zënë gjumi gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Naftali Bennett në Shtëpinë e Bardhë.