Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, i ka kthyer 50 anëtarë të personelit diplomatik dhe konsullor që kanë përfunduar mandatin e rregullt katërvejçar dhe atyre që për tetë vjet nuk janë kthyer asnjëherë.
Ajo po ashtu ka emëruar që të shërbejnë në misionet e Kosovës më shumë se 30 anëtarë të Shërbimit të Jashtëm, zyrtarë të karrierës, të cilëve për më shumë se 11 vjet nuk iu është dhënë mundësia për të shërbyer jashtë vendit.
Këto vendime, Haradinaj-Stublla thotë se i ka marrë në kuadër të ndryshimit që e emëroi “Një në Shërbim, një në Ministri”.
Ajo thotë se të gjitha këto vendime i mori në bazë të dispozitave ligjore.
“Për herë të parë, pas 12 vitesh të funksionimit të shërbimit të jashtëm, në pajtim të plotë me dispozitat përkatëse ligjore, kemi realizuar caktimin në detyra në formë të rotacionit të rregullt për personelin diplomatik dhe konsullor, sipas konceptit Një në Shërbim, një në Ministri””.
“Për qëllimet e lartcekura, do të kthehen nga Misionet që të shërbejnë në Ministri, më shumë se 50 (pesëdhjetë) anëtarë të personelit diplomatik dhe konsullor, të cilët kanë përfunduar mandatin e rregullt 4 vjeçar dhe nga ata të cilët, për më shumë se tetë vite pa shkëputje nuk janë kthyer asnjëherë për të shërbyer në Ministri”./GazetaSinjali/