image KSHC: Vendimi i ENQA-s është korrekt

Kosovë

Arsim/ KSHC: Vendimi i ENQA-s është korrekt

news image

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka reaguar pas largimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga ENQA, duke e mbështetur vendimin e tyre për përjashtim.

“Ky vendim është i drejtë dhe reflekton problemet strukturore të AKA dhe trashëgiminë e lënë pas ndërhyrjeve të vazhdueshme politike në punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Të gjeturat e ENQA-s janë plotësisht korrekte dhe pasqyrojnë ndikimet e jashtme dhe të brendshme me të cilat përballet AKA tash e disa vite”, thuhet në reagim.

Tutje KSHC janë shprehur të shqetësuar për vendimin e ENQA-s për shkak të vështirësive me të cilat do të përballen studentët e arsimit të lartë në Kosovë.

“Jemi të shqetësuar se vendimi i ENQA-s largon Kosovën nga komuniteti i zonës evropiane të arsimit të lartë dhe vështirëson barasvlerësimin e diplomave të marra nga institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës në Evropë dhe gjetiu”, thuhet në reagimin e KSHC-së.

Reagimi i plotë:

Vendimi i ENQA-s është brengosës por jo befasues. Ky vendim është i drejtë dhe reflekton problemet strukturore të AKA dhe trashëgiminë e lënë pas ndërhyrjeve të vazhdueshme politike në punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) vazhdimisht ka bërë publike shqetësimet rreth politizimit të procesit të akreditimit dhe cilësisë në arsimin e lartë në Republikën e Kosovës. KShC  thekson se akreditimi nuk është proces politik por profesional dhe i bazuar në standarde evropiane të cilësisë (ESG), sipas zonës evropiane të arsimit të lartë (EHEA).

Të gjeturat e ENQA-s janë plotësisht korrekte dhe pasqyrojnë ndikimet e jashtme dhe të brendshme me të cilat përballet AKA tash e disa vite. Është brengosëse që AKA-s vazhdimisht është përballur me mungesë të mbështetjes, mungesë të burimeve njerëzore, pavarësi të cunguar, që ka pamundësuar fuqizimin dhe llogaridhënien e AKA-s.

KShC që në fillim të marrjes së mandatit, më saktësisht në prill të vitit 2018 deri më sot, ka vërejtur të gjitha të gjeturat e ENQA-s dhe aktualisht është duke i adresuar. Në këtë rrugëtim vendimmarrësit nuk kanë ofruar mbështetje domethënës, siç janë ndërhyrjet politike në akreditim, mungesa e drejtorit/es së AKA-s, ndryshime të shpeshta në Udhëzimin Administrativ për Akreditim si dhe interpretime ligjore kontratidktore nga instuticionet përkatëse. Theksojmë se procesi i akreditimit do të vazhdojë normalisht konform legjislacionit në fuqi.

Jemi të shqetësuar se vendimi i ENQA-s largon Kosovën nga komuniteti i zonës evropiane të arsimit të lartë dhe vështirëson barasvlerësimin e diplomave të marra nga institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës në Evropë dhe gjetiu.

Ftojmë të gjithë hisedarët të bashkohen për arritjen e një konsensusi mbarë-kombëtar për përmirësimin e gjendjes dhe adresimet e të gjitha të gjeturave të ENQA-s dhe vendimit të marrë. Kështu mbesim me shpresë që do të realizojmë vizionin për një shoqëri me arsim cilësor sipas standardeve evropiane dhe në mbështetje të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik në Kosovë./Gazeta Sinjali/