Një konvoj i Kryqit të Kuq po udhëton në qytetin ukrainas të Mariupolit, për të tentuar sërish që të evakuojë civilët nga ky qytet i rrethuar, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se forcat ruse po krijonin një “katastrofë” të plotë jashtë kryeqytetit, duke lënë mina “në gjithë territorin”.
Qyteti-port i Mariupolit është qyteti që ka përjetuar shkatërrimet më të mëdha në luftë, ku besohet se mijëra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë larguar.
Por, dhjetëra-mijëra persona mbeten të bllokuar në qytet pa qasje në ujë dhe ushqim.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha më 1 prill se udhëhoqi një konvoj me rreth 54 autobusë ukrainas dhe disa makina të tjera private, por ky konvoj u kthye mbrapsht për shkak se u tha se nuk kishte kushte për të vazhduar.
“Ata do të tentojnë sërish të shtunën për të lehtësuar një korridor të sigurt për civilët”, tha Kryqi i Kuq.
Ndërkaq, presidenti ukrainas Zelensky tha se forcat ruse që po tërhiqen kanë lënë mina jashtë Kievit, përfshirë edhe përreth shtëpive.
“Ata po vendosin mina në gjithë territorin. Ata po vendosin mina në shtëpi, pajisje, por edhe në trupat e personave të vdekur”, tha Zelensky gjatë një video-adresimi.
Ai paralajmëroi se beteja të ashpra pritet të ndodhin kur Rusia të rivendosë sërish trupat.
“Ne po përgatitemi për më shumë veprime mbrojtëse”, tha ai.
Forcat ruse, ndërkaq, kanë akuzuar Ukrainën se ka kryer një sulm në një depo nafte në qytetin rus të Belgorodit, jo fort larg kufirit me Ukrainën. Ushtria ukrainase ka refuzuar që të komentojë për këtë sulm, që u tha se ka ndodhur më 1 prill, raporton REL.
Nëse do të konfirmohet, kjo do të ishte një ofensivë e fuqishme nga Ukraina, e cila është nën sulme të vazhdueshme nga drejtime të ndryshme që prej 24 shkurtit, dhe do të ishte sulmi i parë ushtarak në tokën ruse nga forcat e huaja që prej Luftës së Dytë Botërore.