Punonjësit e administratës publike vazhdojnë të mbeten të shqetësuar pas miratimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë, duke mos ditur se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Pas miratimit të ligjit nga ana e deputetëve të pozitës në Kuvendin e Kosovës, kishin vërshuar reagimet e shumta jo vetëm nga vendorët, por edhe nga organizatat ndërkombëtare, duke kundërshtuar atë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës Ali Gashi, tha për Gazetën Sinjali, se SPAK-ja kundërshton fuqishëm Ligjin për Zyrtarët Publik, pasi që i njëjti konsiderohet se e ndërpren memorien e institucioneve, prish strukturën e shërbimit civil dhe politizon skajshmërisht administratën e shtetit.
“Ky ligj është kundërshtuar edhe nga shumë organizata kredibile vendëse e ndërkombëtare dhe nga BE-ja që është klasifikuar si ligj i cili i jep mundësi partive politike që të ndikojnë dhe të përzgjedhin njerëzit e dëgjueshëm të cilët vijnë nga radhët e subjekteve politike që janë në pushtet”, tha Gashi.
Më tej kryetari i SPAK-ut, tha për Sinjalin se kanë reaguar edhe përmes një shkrese që i kanë dërguar Avokatit të Popullit ku i kanë propozuar që këtë ligj ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetueshmërinë e këtij ligj.
Gashi tha se SPAK-u e konsiderojnë se ky ligj shkel të drejtën e punës dhe rrjedhimisht edhe të drejtat e njeriut.
“Ne besojmë fuqishëm se Gjykata Kushtetuese do ta thotë fjalën e vet duke vlerësuar e marrë për bazë dhe me seriozitet të gjitha vërejtjet si nga vendësit ashtu edhe nga ndërkombëtarët”, tha Gashi.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës theksoi se shërbimi civil është njëri prej më profesionalëve në rajon dhe i ngritur me shumë mund e sakrificë me ndihmën edhe të organizatave kredibile ndërkombëtare.
“Prandaj një tendencë e tillë nga Qeveria që përmes Ligjit të Zyrtarëve Publikë ta shkatërrojë punën e bërë për 20 vjet nuk mund ti thuhet tjetër pos tendencës për kapje, shantazh dhe politizim të shërbimit civil”, tha kryetari I SPAK-ut Ali Gashi.