Kryetari i Federatës Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, është deklaruar lidhur me pretendimet e ngritura nga Klinika e Kardiologjisë në QKUK se kardiologu i Spitalit Amerikan, Sasho Josimovski, ia kishte vënë një pacienti një bateri në zemër dhe dy stenta pa pasur nevojë.
Lidhur me këtë rast, Syla fillimisht ka kërkuar që të mos paragjykohet me rastin duke kërkuar një hetim të plotë nëse pretendimet janë të vërteta apo jo. Ai ka thënë se nëse pretendimet për intervenim pa nevojë janë të vërteta atëherë duhet të ndëshkohet secili mjek që ka kryer atë intervenim.
“Pa dashur të paragjykoj për këtë rast lidhur për shkak se nuk jam ekspert i anës ligjore, kisha thënë që pretendimet duhet të kalojnë tek Inspektorati i Odës së Mjekëve të Kosovës për këtë çështje dhe më pas të jepet një konkludim për shkak se edhe këta janë mjekë dhe janë kolegë, por që nëse ka qenë e gabueshme duhet me dhënë llogari”, ka deklaruar Syla për Gazeta Sinjali.
Por, Syla më tutje ka adresuar ankesa në drejtim të institucioneve për licencimin e mjekëve të huaj. Ai madje ka thënë se rastet për mjekët kosovarë po vjen reagimi më shpejtë, sesa për mjekët e huaj.
“Pikërisht për këtë jam ka them sepse ju e dini që unë kam insistuar që licencimi i mjekëve të huaj të kalojë te Oda e Mjekëve të Kosovës dhe jo tek Ministria e Shëndetësisë, qysh ka qenë si praktik, mu për këto raste për shkak se po ka diferencime për mjekët kosovarë dhe për ata që po vinë nga jashtë”.
“Në këtë rast, pa dashur të paragjykojë tek ne kosovarët po vjen më shpejt reagimi, ndërsa tek të huaj po neglizhohen dhe po mbyllen rastet, andaj edhe njëherë po e them është e udhës që jo vetëm Oda e Mjekëve të Kosovës, por edhe të gjitha institucionet të merren me këtë rast”, ka deklaruar ai.
Syla po ashtu ka kritikuar licencimin e shpejtë dhe të favorshëm për mjekët e huaj në krahasim me mjekët kosovarë. Ka thënë se mjekët e huaj janë më të privilegjuar dhe më të mbivlerësuar.
“Unë kam qenë gjithmonë kritik dhe mjekët e huaj po licencohen shumë më shpejtë se sa që merret patent shoferi, kjo duke i falënderuar një Udhëzimi Administrativ të ish-ministrit Ferid Aganit i cili për tetë ditë i ka licencuar mjekët e huaj, ndërsa për mjekët kosovarë këtu, janë disa procedura më të rënda. Kontrollet janë shumë më të shtuar tek mjekët vendorë se tek ata të huaj”.
“Edhe ne si mjekë nëse shkojmë në një vend tjetër duhet t’i nënshtrohemi ligjeve të atij vendi, ndërsa në Kosovë ndodhë e kundërt, pavarësisht se prej nga ku vinë, nuk i përgjigjen institucioneve. Janë ma të mbivlerësuar dhe më të privilegjuar, arsyen nuk e di dhe duhet me i pyet institucionet tona”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë se dy ditë më parë konzoliumi i mjekëve i Klinikës së Kardikirurgjisë me Kardiologji invazive ka denoncuar mjekun, Sasho Josimovski, se i kishte vënë një bateri në zemër dhe dy stenta pa nevojë.
Për Gazetën Sinjali, sot Oda e Mjekëve të Kosovës, ka konfirmuar fillimin e hetimeve si dhe kryerjen e ekspertizës në një vend të huaj për të parë nëse intervenimi ka qenë pa nevojë./Gazeta Sinjali/