Kryetari i Komunës së Klinës nga radhët e AAK-së, Zenun Elezaj, ka reaguar me një shkrim në rrjetin e tij social në Facebook, për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Klinë,duke fajësuar PDK-në, e cila ishte në qeverisje mandatin e kaluar.
Elezaj ka shkruar se një vendim i tillë është miratuar në qeverisjen e kaluar sa ishte PDK në krye të Klinës.
‘’Fillimisht sqaroj se Komuna më datë 26.12.2015, në kohën kur Komunën e ka udhëhequr PDK, Kuvendi Komunal ka miratuar Planin Zhvillimor Komunal (PZHK), ku në bazë të këtij plani Komuna edhe gjatë qeverisjes së kaluar ka pasur kërkesa dhe përgjigje të njëjta.
Duke u bazuar në këtë Plan Zhvillimor, Komuna mund të lëshoj pëlqim vetë, për rregullimin e dokumentacionit për aplikim dhe për përputhshmërinë e aktiviteteve minerare me PZHK-në, ritheksoj të miratuar në kohën kur Komunën e ka udhëhequr PDK’’, ka shkruar Elezaj.
Kryetari Elezaj, gjithashtu ka theksuar se PDK në vitin 2016 kishte shprehur pajtim në parim që të ndërtohet fabrika e çimentors në Klinë dhe e kishte parë si të dobishme.
‘’Madje, ish Kryetari i Komunës në vitin 2016 gjatë një takimi me përfaqësues të një konsorciumi të kompanive shqiptaro-sllovene, kishte shprehur pajtimin në parim që të ndërtohet fabrika e çimentos në Klinë, duke e vlerësuar projektin si mjaftë serioz dhe të dobishëm. Tash anëtarët e PDK-së kanë vlerësim krejt të ndryshëm, duke trumbetuar me të madhe të kundërtën e asaj që dikur e shihnin si sukses’’, ka shkruar ai.
Ditë më parë qytetarët e komunës së Klinës, janë shprehur kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos, të cilët kanë bërë edhe fushatë përmes rrjeteve sociale./ Gazeta Sinjali/