Në Komunën e Kamenicës gjatë ditës së djeshme është konfirmuar rasti i parë me koronavirus. I infektuar me këtë virus, doli të jetë një 43-vjeçar nga fshati Topanicë, i cili punonte si vozitës i një autobusi në linjën Kosovë – Gjermani.
Rreth këtij rasti, detaje të tjera ka dhënë kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka deklaruar se një listë prej 14 familjesh që mund të ketë pasur kontakt me të infektuarin, i është dërguar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
“Deri tash ne kemi ardhë në një listë prej 14 familjesh, të cilat janë shumë afër dhe janë të afërt dhe që kanë mujt me pas kontakt, pra janë rreth 14 familje që i kemi të identifikuara dhe tash ia kemi ofruar IKSHP-së dhe ata i kanë kontaktu përmes telefonit dhe varësisht prej simptomave do të vendoset se si do të ndodhë”, ka thënë Kastrati në një prononcim për Insajderin.
Në Kosovë aktualisht numri i rasteve me koronavirus ka shkuar në 108, është shënuar një viktimë, teksa zyrtarisht është raportuar edhe për një të shëruar./Gazeta Sinjali/