image Kryeprokurori Lumezi thotë se u keqinterpretua deklarata e tij për rastin Dehari

Kosovë

Komunikatë/ Kryeprokurori Lumezi thotë se u keqinterpretua deklarata e tij për rastin Dehari

news image

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka sqaruar opinionin se disa media kanë keqinterpretuar deklaratën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, lidhur me kërkimin e ndihmës juridike nga ShBA-të për rastin e Astrit Deharit.

Zyra e Lumezit ka njoftuar se Kryeprokurori i Shtetit ka deklaruar që ndihma amerikane do të kërkohet pas ndërmarrjes të të gjitha veprimeve nga autoritetet vendore për ndriçimin e rastit Dehari.

“Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ju informon se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, decidivisht ka deklaruar se nëse është e nevojshme, pas ndërmarrjes se të gjitha veprimeve të duhura nga autoritetet vendore për ndriçimin e plotë të rastit të Astrit Deharit, do të kërkohet ndihmë juridike nga Ambasada Amerikane në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

“Në këtë kontekst, kjo ndihmë eventuale do të realizohet nëpërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare me anë të ekspertizave dhe ekzaminimeve profesionale, të cilat janë të nevojshme për zbardhjen e rrethanave të procedurës penale të këtij rasti, ashtu siç parashihet në Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Kryeprokurorisë.

Kujtojmë se dje Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka dhënë deklaratë për media se do të kërkojnë ndihmë nga Amerika për hetimin e rastit të Astrit Deharit./Gazeta Sinjali/