Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka paralajmëruar hapjen e një qendre testimi për koronavirus në veri të Mitrovicës.
Ajo ka bërë të ditur se sot fillon një turne në 22 laboratorët ekzistues të PCR në të gjithë Serbinë për koronavirus, si dhe nëntë lokacione për laboratorët e rinj të mundshëm.
Në mesin e këtyre nëntë laboratorëve, sipas Bërnabiqit një do të jetë edhe në veri të Mitrovicës, raporton Tanjug.
“Ky është si rezultat i një plani që kemi adoptuar si përgatitje për vjeshtë dhe dimër, me qëllim të koordinimit të punës së laboratorëve mikrobiologjik. Të hënën, grupi i punës do të analizojë të dhënat e mbledhura dhe do të rekomandojë masa për të rritur kapacitetin e laboratorëve të rinj ekzistues dhe të hapur PCR Covid. Ne jemi duke rritur aftësinë për testimin e PCR, që është çelësi i luftës kundër koronavirusit”, është shprehur Bërnabiq.
Më tej, kryeministrja serbe ka thënë se situata me koronavirus pritet të përmirësohet, por që një gjë e tillë varet nga qytetarët sa do t’i respektojnë masat parandaluese.
Ndryshe në 24 orët e fundit në Serbi kanë vdekur nëntë persona të prekur me koronavirus, kurse janë regjistruar edhe 295 raste të tjera. /Gazeta Sinjali/