image Kryeministri Kurti i përgjigjet ambasadorit Kosnett që tha se Asociacioni duhet të formohet

Politikë

Kryeministri Kurti i përgjigjet ambasadorit Kosnett që tha se Asociacioni duhet të formohet

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar deklaratat e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti tha se Kosova e ka një Asociacion të komunave dhe ky është funksional, derisa ka thënë se Kosova s’mund të ketë Asociacion mbi baza etnike.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, ka thënë Kurti për kp.

Ai ka shtuar se janë për të drejtat e të gjitha pakicave dhe kundër margjinalizimit apo diskriminimit.

Më tej kryeministri Kurti tha se kërkesa të tilla po vijnë nga politikanët dhe fqinjët veriorë.

“Kërkesa për asociacion etnik e cila ka tash e gati një dekadë që mbahet aktuale nuk më duket që vie nga njerëzit e thjeshtë. Por nga politikanët e fqinjët tonë veriorë”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka thënë se Kosova ka detyrim që ta foromojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai tha se historia nuk ka nisur në ditën kur u formua Qeveria e Albin Kurtit.

“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë… Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, ka deklaruar Kosnett për Radio Kontakt Plus.

/GazetaSinjali/