Partia Socialdemokrate ka dorëzuar kallëzimin penal ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për rastin e deklarimit të tij si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dorëzimin e këtij kallëzimi në Prokurorinë Themelore në Prishtinë e ka bërë i pari i partisë, Dardan Molliqaj, bashkë me nënkryetarin, Zgjim Hyseni, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka siguruar të plotë kallëzimin penal që ka dorëzuar PSD-ja në Prokurori.
Aty thuhet se PSD ka parashtruar sepse në vitin 2014, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për Veteranët e Luftës Çlirimtare të Kosovës, ku si një ligj të veçantë ka trajtuar vetëm kategorinë e veteranëve të dalë nga lufta Çlirimtare e udhëhequr nga UÇK-ja.
“Neni 4 i këtij ligji i ndanë në gjashtë kategori veteranët e Luftës Çlirimtare të Kosovës: 1. Veteran Invalid i luftës së UÇK-së; 2. Veteran Luftëtar i UÇK-së; 3. Veteran i Internuar i UÇK-së; 4. Veteran Ushtar i zhdukur (i pagjetur) i UÇK-së, 5. Veteran pjesëtarë i UÇK së; dhe 6. Veteran Pjesëmarrës i Luftës së UÇK-së.”, thuhet në kallëzim penal.
Si provë është paraqitur deklarata e datës 2 mars 1999 nga zyra e Adem Demaçit për analiza, propozime dhe këshilla politike.
“Ligji nr. 048/L-261 për Veteranët e Luftës Çlirimtare të Kosovës përcakton tri kushte kryesore që një personi t’i njihet statusi i Veteranit Luftëtar – 1. të jetë qytetar i Kosovës apo shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së; 2. Të jetë i është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komandat, shtabet e zonave operative të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK së; dhe 3. të ketë qenë aktiv deri në përfundimin e luftës. Nga perspektiva e përkufizimit të qartë se kësaj kategorie të veçantë të veteranit të UÇK-së, përkatësisht veteranit luftëtar, qartazi z. Kurti nuk mund të përmbushë dy kushtet e tij të fundit mu për faktin se asnjëherë nuk qenë i armatosur apo uniformuar, e për më tepër i njëjti ka dhënë dorëheqje publike nga kjo organizatë politike e ushtarake. Z. Kurti mbase do mund të kualifikohej në kategori të tjera të përcaktuara me këtë ligj, mirëpo jo në këtë kategori – veteran luftëtar i UÇK-së.”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Sinjali.
Sipas kallëzimit penal, nuk ka asgjë kontestuese se Kurti, përmes veprimeve të marra që janë përshkruar në dokument, është i përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘Deklarimet e rreme’.
“Andaj në këtë çështje kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore sipas autorizimeve dhe përgjegjësive të saj sipas Kodit nr. 04/l-123 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në dokument.
Ndryshe, Molliqaj ka thënë para medieve mëngjesin e sotëm, se kryeministri Kurti ka bërë deklarime të rreme dhe ka mashtruar komisionin verifikues të veteranëve.
“Për deklarime të rreme. Kurti ka mashtruar komisionin verifikues të veteranëve. Kryeministri ka konsumuar vepër penale. Kryeministri ka një synim, jo ti luftojë veteranët e rrejshëm sepse i rrejshëm është vet, por Kurti kishte një synim, ta përbaltosë veteranin e vërtetë, ta rritë presionin ndaj veteranëve që ta ndërrojë një nen në ligjin për veteranët e UÇK-së. Pra Kurti nuk ka plan me i pastru listat e veteranëve të rrejshëm se i tillë është vet, por ka nevojë me i shkëputë veteranët nga kompensimi i pagës. Kurti është veteran luftëtar. Kemi publikuar letrën e dorëheqjes nga UÇK”, ka thënë Molliqaj.
Kujtojmë se ditë më parë, PSD ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të Qeverisë, ku aktivistë të kësaj partie kanë mbajtur në duar një pankartë me anë të së cilës e shpallin kryeministrin Kurti, “Veteran të rrejshëm”.
Kallëzimi penal i plotë: