Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka akuzuar Bjellorusinë për terrorizëm shtetëror për rolin e saj në fluksin e emigrantëve të mbledhur në kufirin e përbashkët të dy vendeve.
“Është e qartë se ajo me të cilën përballemi këtu, është një demonstrim i terrorizmit shtetëror,” tha Morawiecki gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, në Varshavë.
Ai gjithashtu ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për orkestrimin e fluksit të emigrantëve.
Ndërsa, kriza vazhdon të merr një dimension ndërkombëtar, kancelarja gjermane, Angela Merkel, i kërkoi Putinit të ndërhynte. Në një telefonatë me liderin rus, ajo u ankua për “instrumentalizimin e emigrantëve kundër Bashkimit Evropian.”
Bjellorusia dhe Rusia i janë kundërpërgjigjur akuzave të tilla duke akuzuar BE-në dhe Perëndimin për provokim të bllokimit kufitar./Gazeta Sinjali/