Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman, ka thënë se Kroacia është duke u kërkuar pesë vendeve të Bashkimin Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës, transmeton Gazeta Sinjali.
Sipas kryediplomatit kroat, kjo njohje do ta stabilizonte rajonin.
“Kroacia inkurajon pesë anëtarët e tjerë të BE ta njohin Kosovën, sepse kjo do të kontribuonte në stabilizimin e rajonit dhe vetë Kosovës”, tha Grlić Radman para gazetarëve.
Kryediplomati kroat tha se tri gjëra janë thelbësore për stabilitetin e rajonit: respektimi i integritetit territorial të shteteve, barazia kushtetuese e boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në Bosnje e Hercegovinë dhe vendosja e besimit të ndërsjellë pas luftërave të viteve 1990.
“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit duhet të ruhet dhe respektohet. Pa rivendosur kufijtë, siç kemi dëgjuar muajt e fundit duke qarkulluar disa non-papers të famshëm që ishin drejtuar në atë drejtim”, tha Radman.
Ai deklaroi se beson se mirëbesimi mund të arrihet përmes bisedave të ndershme, zgjidhjes së fatit të të zhdukurve, ndjekjes penale të krimeve të luftës dhe dhënies së drejtësisë për viktimat.
As 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pesë shtetet anëtare të BE-së, Qipro, Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia, nuk e kanë njohur Kosovën si shtet./Gazeta Sinjali/