Kryetari i Bashkisë së qytetit të Bucha, Anatoli Fedoruk, ka thënë se rreth 320 civilë janë vrarë nga trupat ruse gjatë pushtimit të qytetit.
Fedoruk ka thënë se kishte parë personalisht ekzekutimet e disa njerëzve nga forcat ruse, raporton BBC – transmeton Gazeta Sinjali.
“Kam parë disa episode. Ishin tre makina civile që përpiqeshin të evakuoheshin drejt Kievit dhe ata u qëlluan brutalisht. Ishte një grua shtatzënë, burri i së cilës bërtiste duke i kërkuar të mos e qëllonte, por ata thjesht e qëlluan brutalisht”, tregoi ai.
Fedoruk gjithashtu pretendoi se forcat ruse kishin qëlluar politikanë vendas gjatë pushtimit të tyre.
Ai i bëri thirrje ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili ka mohuar akuzat për krime lufte nga trupat e Moskës, të “kalojë në qytetin e Bucha dhe të shohë trupat e njerëzve të vdekur, të shikojë në sy familjet, nënat, burrat dhe fëmijë që mbetën jetimë”.