Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ka dhënë detaje shtesë rreth situatës së krijuar pas shkarkimeve të fundit që u bënë në këtë ndërmarrje, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, KRU “Prishtina” njofton se Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të kësaj kompanie ka shkarkuar nga detyra disa zyrtarë të lartë të cilët, sipas vendimit të këtij bordi, nuk kanë qenë në nivel të detyrë dhe si rrjedhojë i kanë shkaktuar performancë jo të mirë kompanisë.
“Pas pranimit dhe trajtimeve të materialeve dhe Raporteve të ZKA-së dhe raporteve të Zyrës së Auditorit të Brendshëm dhe në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrje Publike (LNP), ka marrë masa ndaj disa zyrtarëve të lartë të cilët nuk kanë qenë në nivel të detyrës dhe si rrjedhojë i kanë shkaktuar përformancë jo të mirë Kompanisë, andaj Bordi i Drejtorëve i përkohshëm duke u mbështetë në kompetenca të tyre që ju je p LNP në mbledhjen e parë të jashtëzakonshme mori disa vendime”, thuhet në komunikatë.
Zyrtarëve të cilëve u ndërpre kontrata janë: zyrtari kryesor financiar dhe i thesarit, zëvendëskryeshefi ekzekutiv dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv.
Me këtë vendim u bë edhe emërimi i ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv dhe zyrtarit kryesor financiar dhe të thesarit.
Gjithashtu, në këtë mbledhje u mor vendim që të shpallet konkursi për rekrutim të pozitës së kryeshefit ekzekutiv dhe zyrtarit kryesor financiar dhe të thesarit, kurse për pozitën e zëvendëskryeshefit ekzekutiv mbetet që Bordi i Drejtorëve të shqyrtoj edhe njëherë nevojën për të pasur një pozitë të tillë në këtë ndërmarrje.
Me këtë rast, bordi vendosi që t’u bëhet ftesë shoqërisë civile dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë që të marrin pjesë në procesin e rekrutimit të këtyre pozitave, në mënyrë që, sipas tyre, të sigurohet një profesionalizëm dhe transparencë të plotë të këtij procesi.
“Bordi i Përkohshëm do të vazhdojë që të trajtoj me kujdes të shtuar funksionet vitale të kompanisë për t’u siguruar që të ketë një furnizim të rregullt dhe të sigurt për qytetarët dhe të përmirësojë performancën e saj”, përfundon njoftimi.
Kujtojmë që shkarkimi i bordit drejtues të KRU “Prishtinës” u bë ditën e djeshme nga qeveria në detyrë e Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, ka zgjedhur bordin e ri të KRU “Prishtina”, për siç u tha, shkeljet dhe keqpërdorimet që u gjetën në këtë ndërmarrje.
Madje, pas konferencës së Kurtit, për këto keqpërdorimi, prokuroria njoftoi se ka filluar hetimet. /Gazeta Sinjali/