image Kriza energjetike, fiken dritat e një prej urave më të gjata në botë

Evropë

Kriza energjetike, fiken dritat e një prej urave më të gjata në botë

news image

Ura Rio-Antirio në Greqi, një nga më të gjatat e llojit të saj në botë, ka fikur dritat e saj dekorative me qëllim të kursimit të energjisë elektrike, shkroi të mërkurën “France 24”.

Kjo masë është marrë në përpjekje për ta lehtësuar krizën energjetike me afrimin e dimrit.

Përveç kësaj ure, edhe ndërtesa qeveritare, ajo e parlamentit grek si dhe zyra e kryebashkiakut në Athinë, janë errësuar.

Vendime të ngjashme janë marrë edhe në vende të tjera të Evropës, si Belgjika e Franca.

Në Belgjikë vërehet se autostradat janë errësuar, ndërsa në Paris është vendosur që dritat e Kullës Eiffel të fiken një orë më herët se zakonisht.

Në kryeqytetin francez gjithashtu është vendosur të ulen temperaturat e pishinave dhe do të vonohet ngrohja e ndërtesave publike.

Kulla Eiffel deri para një jave ka ndriçuar deri në orën 1 të mëngjesit nga një sistem ndriçimi që i jep asaj një shkëlqim të artë. Shuarja e dritave të monumentit në orën 23:45 nënkupton ulje prej 4 për qind të konsumit të energjisë.

/GazetaSinjali/