image Mbi 1000 të helmuar në Deçan, Kurti e Vitia ende asnjë fjalë

Kosovë

Mbi 1000 të helmuar në Deçan, Kurti e Vitia ende asnjë fjalë

news image

Rreth 1000 qytetarë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan për shkak të helmimit.

Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur procedurat para hetimore për dy raste të vdekjes të cilat janë cilësuar si të dyshimta.

Të dy trupat e pajetë, janë dërguar për obduksion për shkak se dyshohet se kanë vdekur si pasojë e helmimit nga uji i pijshëm.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, dje ka deklaruar se helmimi mund të jetë edhe i qëllimshëm, pasi që ka thënë se kjo nuk është hera e parë që ndodhë diçka e tillë.

Nga krerët shtetëror, deri më tani ka reaguar vetëm presidentja Vjosa Osmani, ndërsa kryeministri Albin Kurti nuk është prononcuar ende rreth rastit që nxiti shumë reagime.

“Pres nga të gjitha institucionet angazhim të mëtejmë e të plotë në ofrimin e trajtimit adekuat shëndetësor për qytetarët e helmuar, si dhe zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar në helmimin e qytetarëve. Një hetim nga organet e drejtësisë është i domosdoshëm dhe duhet të trajtohet me urgjencë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se deri më tani as ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, e as kryeministri Albin Kurti nuk e kanë vizituar këtë komunë.

Ndaj Kurtit dhe Vitisë kanë reaguar edhe zyrtarë nga partitë opozitare, të cilët kanë kritikuar neglizhencën e tyre ndaj rastit në fjalë. /Gazeta Sinjali/