Shkencëtarë të shquar nga e gjithë bota janë duke kërkuar për një hetim më të thellë të origjinës së COVID-19, duke përfshirë këtu gjasat që një aksident laboratorik të ketë krijuar koronavirusin e ri, që shkaktoi pandeminë me të cilën bota po përballet qe më shumë se një vit.
Në një letër të publikuar të enjten në gazetën “Science”, një grup ndërkombëtar prej 18 biologëve, imunologëve dhe shkencëtarëve të tjerë, kanë kritikuar gjetjet e një raporti të publikuar në muajin mars, nga ekipi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i cili ka hetuar për disa javë rresht në Kinë, origjinën e COVID-19.
Grupi i shkencëtarëve tani po kërkon një vlerësim më të gjerë të dy hipotezave: se virusi i cili shkaktoi pandeminë hyri në popullatën njerëzore dhe filloi të shpërndahet pasi ishte lëshuar nga një laborator, ose pasi është transmetuar tek njerëzit nga kafshët e infektuara.
Ekipi i OBSH-së i cili përbëhej nga shkencëtarë nga Kina dhe disa shtete të tjera, nuk ka dhënë prova definitive të asnjë prej këtyre hipotezave.
Grupi i shkencëtarëve të cilët e kanë kritikuar punën e këtij ekipi, kanë shkruar në letrën e tyre se ai asnjëherë nuk ka konkluduar se origjina shtazore e pandemisë ishte skenari më i mundshëm.
Shkencëtarët gjithashtu kanë shprehur shqetësime se ekipi nuk ishte në gjendje të merrte të dhëna të papërpunuara epidemiologjike për rastet e para të konfirmuara në Kinë ose ato të mundshme më të hershme.
Ekipi i OBSH-së pati arritur në Kinë në fillim të këtij viti për një hulumtim rreth origjinës së koronavirusit mirëpo qeveria kineze nuk i ka lejuar qasjen në çdo pikë ku ata kanë kërkuar të hetojnë. /Gazeta Sinjali/