image Krisja Kurti-Rama - dy kryeministrat shqiptarë që ‘qëllimet i kanë të njëjta’, por ‘rrugët e ndara’  

Politikë

Krisja Kurti-Rama – dy kryeministrat shqiptarë që ‘qëllimet i kanë të njëjta’, por ‘rrugët e ndara’  

news image

“Kemi qëllime të njëjta, por rrugët i kemi të ndara”, si nisi krisja mes Kurtit dhe Ramës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do ta takojë homologun e tij shqiptar, Edi Rama, në vizitën që ky i fundit do ta ketë në Prishtinë

“I kërkova të mbajmë mbledhjen e qeverisë që u anulua. Do rrijë 2 ditë dhe 1 natë në Prishtinë në kuadër të Procesit të Berlinit. I kërkova të bënim mbledhje qeverie për të firmosur marrëveshjet. Nuk e takoj nëse nuk do jetë mbledhje e përbashkët e qeverive që u anulua”, tha Kurti.

Por, si nisi krisja mes dy kryeminstrave shqiptar të Ballkanit?

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë kaluan në një nivel tjetër, kur më 13 qershor, Rama njoftoi se do ta anulojë mbledhjen e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, që ishte paraparë të mbahej në Gjakovë.

Kjo kishte ndodhë pas situatës në veri, dhe pasi Rama i kishte kërkuar Kurtit një takim kokë më kokë, dhe ky i fundit nuk kishte pranuar.

Megjithatë, diskutimet për një “krisje” të raportit mes dyve kishin nisur para 13 qershorit.

Më 8 qershor, në një konferencë urgjente për tensionet në veri, Rama bëri të ditur se i kishte dërguar presidentit francez, Macron dhe kancelarit gjerman, Scholz një dokument konfidenciale për draft-statutin e Asociacionit.

Këtë e kishte bërë pa u koordinuar me Kurtin.

Pak ditë më vonë, Kurti gjatë një konference tha se nuk e ka lexuar draftin e Ramës, por tha se do të ishte mirë që atë të ia prezentonte Vuçiqit për shqiptarët e Preshevës.

Pas kësaj, Rama kishte deklaruar se nuk ishte prekur nga komentet e homologut të tij kosovar, dhe shtoi me se “Kurtin kanë qëllime të njëjta”, por pranoi se rrugët i kanë gjithmonë të ndara.

Me kë do takohet Edi Rama nesër në Prishtinë?

Kryeministri Edi Rama nuk do ta anulojë turin e tij ballkanik, pavarësisht se homologu Albin Kurti nuk pranoi që ta takojë.

Rama do të fluturojë mëngjesi ne nesërm në Shkup për t’u takuar me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, dhe më pas do të vijojë sipas planit, vizitën në Prishtinë.

Pavarësisht refuzimit të kryeministrit Albin Kurti për ta pritur në një bisedë kokë më kokë, Edi Rama do ta vizitojë Kosovën, por do të takohet vetëm me presidenten Vjosa Osmani.

Vetë Edi Rama, në një dalje për mediat, nuk e komentoi gjatë përplasjen e re me Albin Kurtin, por vetëm konfirmoi se ai do të jetë në Kosovë të enjten në mbrëmje.

Të premten, Rama do të fluturojë për në Bosnjë Hercegovinë, dhe më pas në Mal të Zi.

Në të dy këto shtete do të takohet me kryeminsitrat. Stacioni i fundit i turit të shefit të qeverisë shqiptare, do të jetë Beogradi.

Atje e pret presidenti Aleksandër Vuçiq.

Reagimet kundër Kurtit për refuzimin e tij ndaj Ramës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku thotë se “kryeministri i Shqipërisë është i mirëpritur”, pasi Edi Rama pritet të vijë nesër në Kosovë.

Abdixhiku thotë se vetëm fakti se diskutohet pritja ose jo e tij, flet për “gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova”.

“Natyrisht që kryeministri i Shqipërisë është i mirëpritur në Kosovë. Fakti që ne e diskutojmë pritjen ose jo të tij tregon shumë për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova. Kryeministri është i mirëseardhur gjithmonë në Kosovë”, tha Abidhxiku.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi refuzimit të Kurtit për ta takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ajo në një postim në Facebook ka pyetur se “si është e mundur që kryeministri Kurti refuzon takimin me kryeministrin e Shqipërisë”.

“Kjo është marrëzi. Turp.  Vuçiçin e takon pa kushte, e Ramës i vendosë kushte”, ka shkruar ajo.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka dhënë një koment, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, në një takim që është jashtë mbledhjes se Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Sipas saj, Kurti më lehtë ia falë Vuçiqit “krimet dhe gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë” sesa që ia falë Ramës “që e ka shkatërruar tentativën e Albinit për të ndërhyrë në zgjedhjet e brendshme të Shqipërisë përmesë LVV-së”.

Ndër të tjera, Musliu u tregua goxha e ashpër duke e quajtur Kurtin “mashtrues”, “zhyll”, “demagog” dhe “rrenc”.

“Albini ma leht ja falë Vuçiqit krimet e gjenocidin që ka ndodhë në Kosovë se sa qe ja falë Kryeministrit Rama qe e e ka shkatërru tentativen e Albinit për të ndërhyrë ne zgjedhjet e brëndshme të Shqipërisë përmes VV ! Inatin e madh e ka thiu! #Mashtrues #Zhyll #Demagog #Rrenc”, shkroi ajo në Facebook.

/GazetaSinjali/