image Krimet e Rënda zbarkojnë në komunën e Junikut, në kërkim të provave dhe të dyshuarve për dallavere me vota

Siguri

Krimet e Rënda zbarkojnë në komunën e Junikut, në kërkim të provave dhe të dyshuarve për dallavere me vota

news image

Pas arrestimit dhe ndalimit të zyrtares së komunës së Junikut, Blerina Sallajt, e cila dyshohet se u kap me dokumentacion të falsifikuar zgjedhor, Drejtoria e Krimeve të Rënda ka zbarkuar në këtë komunë, në kërkim të provave dhe të dyshuarve të tjerë që lidhen me rastin e dokumentacionit zgjedhor që dyshohet se u falsifikua në këtë komunë.

Kështu kanë bërë të ditur burimet e Gazetës Sinjali dhe kanë njoftuar se lidhur me këtë rast dyshohen edhe disa zyrtarë e aktivistë të AAK-së.

Blerina Sallaj është bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit. 

E njëjta është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet se ka kryer veprën penale “dhënie ose marrje të ryshfetit në lidhje me votimin”. Derisa e njëjta është ndaluar për 48 orë, kandidati i AAK-së, Kuçi, ende s’e kanë thënë asnjë fjalë lidhur me këtë rast.

Çka gjeti Policia në valixhen e Blerina Sallajt në Aeroportin e Prishtinës?

Sallaj dje ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora. Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.

Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.

Sallaj gjatë intervistimit, siç ka mësuar Sinjali, ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit.

Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/