Pas deklaratave të mjekëve francezë të cilët propozuan që pacientët afrikanë të përdoren për testimin e efikasitetit të vaksinave të reja kundër koronavirusit, ka reaguar drejtuesi i OBSH-së, duke i cilësuar raciste dhe të turpshme.
“Mbetjet e mendësisë koloniale duhet të marrin fund”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Duke iu referuar deklaratave të mjekëve francezë që thanë se vaksinat e Covid “duhet të testohen në Afrikë”, drejtori i OBSH-së, tha: “Me thënë të vërtetën, u tmerrova kur e dëgjova”.
Në një periudhë kur themi se kemi nevojë për solidaritet, këto deklarata raciste janë kundër solidaritetit. Afrika nuk është dhe nuk do të jetë një fushë testimi për asnjë vaksinë. Për testimin e vaksinës së COVID-19 do të ndjekim të njëjtat protokole pa bërë asnjë diferencim, qoftë Afrikë, qoftë Evropë”.
“Nëse duhen bërë teste diku njerëzit duhet të trajtohen si të barabartë. Tashmë duhet të marrin fund deklaratat e mbetura nga mentaliteti kolonizues. Të dëgjosh deklarata të tilla nga shkencëtarë në shekullin e 21-të është e turpshme dhe e frikshme. Ne deklarojmë në mënyrën më të fuqishme këto deklarata.
Mbetjet e mendësisë koloniale duhet të marrin fund. Është befasuese të dëgjosh shkencëtarë që bëjnë të tilla deklarata raciste në shekullin e 21-të. Për çdo vaksinë ose terapi që do testojmë do ndiqen të njëjtat rregulla, qoftë për Evropën, Afrikën, apo kudo”, tha Ghebreyesus. /Gazeta Sinjali/