Një 22-vjeçar nga Vushtrria ka përfunduar në paraburgim, pasi dyshohet se ka kërcënuar seriozisht një qytetar në mes të rrugës dhe disa zyrtarë policorë. Rasti ka ndodhur më 10 qershor, në rrugën “Shemsi Istrefi”, në Vushtrri, ku i dyshuari u kap me një 21-vjeçar, të cilin e kërcënoi pas një mosmarrëveshje të momentit.
Palët u takuan në rrugë, kur papritmas nisi debati, që eskaloi edhe në kërcënime, ashtu që i dyshuari i është drejtuar viktimës me fjalët “çka po m’kqyre bre”.
Pasi viktima i ka thënë se “çka të kam borxh që po bën kshtu”, i dyshuari ka vazhduar me fjalë kërcënuese se “me m’pas ti borxh, t’vi te shpia jote edhe t’i qes trutë n’tokë, t’vraj”.
Në ato momente, i dyshuari iu ka vërsulur viktimës për ta sulmuar, por fatmirësisht kanë ndërhyrë disa qytetarë, të cilët e kanë parandaluar përleshjen.
Policia ka arritur të arrestojë të dyshuarin, i cili ka vazhduar me kërcënime edhe ndaj zyrtarëve policorë gjatë transportimit në stacion policor, por edhe brenda tij.
“Ki me pa kush jam unë, shihemi ma vonë, se unë krejt familjen e kam pas në UÇK, e sheh kush jom”, ishin fjalët e të riut drejtuar policëve, raporton Sinjali.
Me rastin e kontrollit policor, te i dyshuari është gjetur edhe një mjet i mprehtë, thikë, armë kjo që është konfiskuar.
Me urdhër të Prokurorit i njëjti është ndaluar fillimisht për 48 orë, e më pas me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tij për veprën penale “kanosje”.