Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria që të hiqet akciza për naftë dhe të lejojë funksionimin e tregut të lirë.
Sipas Krasniqit, çmimet aktuale të derivateve janë të papërballueshme për xhepin e qytetarëve të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
I pari i PDK-së tha se kanë kaluar fiks tre muaj, që kur PDK i ka bërë thirrje Qeverisë që ta heqë akcizën për naftën dhe të shqyrtojë mundësinë për ulje të TVSH-së, për produkutet esenciale.
“Ka disa muaj, po veçanërisht ditët e fundit që me shqetësim të madh jemi duke e përcjellë ngritjen e normës të çmimeve të naftës dhe i kemi përcjellë gjatë gjithë ditës sot dhe reagimet dhe qëndrimet e naftëtarëve të Kosovës, por edhe qëndrimet krejtësisht arrogante të qeverisë për të vazhduar cenimin e tregut të lirë dhe imponimin e rregullave që janë për mendimin tonë jo parimore”, tha kreu i PDK-së.
Krasniqi kritikoi Qeverinë se po i rrit të hyrat nga çmimi i lartë i naftës dhe këtë po e shet si sukses në zhvillimin e taksave. Sipas tij nga 64 centë të çmimit që paguajmë për çdo litër naftë, por edhe benzinë, i shkon qeverisë.
“Sot përafërsisht nga 64 centë nga çmimi që ne paguajmë për çdo litër naftë, por edhe benzinë i shkon qeverisë. Pra, qeveria është duke i rritur të hyrat përmes ngritjes së çmimit dhe pastaj po na e shet neve si sukses në zhvillimin e taksave, por realisht është duke e vështirësuar dhe përkeqësuar mirëqenien dhe jetën e qytetarëve“, tha ai.