image Krasniqi deklarohet pas takimeve me Escobar e Lajçak, shpalos qëndrimet e PDK për zhvillimet e fundit

Politikë

Krasniqi deklarohet pas takimeve me Escobar e Lajçak, shpalos qëndrimet e PDK për zhvillimet e fundit

news image

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi është takuar dje dhe sot me të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bashkë me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, si dhe të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Përmes një shkrimi në Facebook, Krasniqi tha se në këto takime është diskutuar për zhvillimet rreth procesit të Dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në këto takime kam shprehë qëndrimin konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të shtetit tonë, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve tanë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, shkroi Krasniqi.

Ai po ashtu thotë se përshkallëzimi i situatës në veri të vendit duhet të evitohet dhe për këtë, thotë se kërkohet angazhimi i të gjitha palëve.

Sipas tij, koordinimi i vazhdueshëm i Kosovës me partnerët ndërkombëtar është i domosdoshëm.

“Në procesin e Dialogut ne i kemi dhënë hapësirën e nevojshme Kryeministrit dhe Qeverisë për të kryer detyrat e tyre në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe përmbylljen e konfliktit të ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike”, shkroi Krasniqi.

Tutje, kreu i PDK-së pati kritika për kryeministrin Kurti, duke thënë se mungesa e transparencës nga ana e tij është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës.

“Qytetarët kanë të drejtë të plotë që të dijnë se cilat janë pozicionet e Qeverisë për të gjitha çështjet që po diskutohen në kuadër të Dialogut. Ne besojmë se prioritet duhet të ketë angazhimi për arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Degradimi i Dialogut në nivel teknik nuk i ndihmon arritjes së këtyre objektivave shtetërore”, tha ai.

Krasniqi shtoi se PDK do të jetë gjithmonë e angazhuar në mbrojtje të interesave të Kosovës, sovranitetit të vendit dhe të zbatimit te kushtetutshmërisë në tërë territorin e vendit.

/GazetaSinjali/