Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Bruksel, ka takuar sot përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Në një postim në Facebook, kreu i PDK-së ka njoftuar se me emisarin Lajçak kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, situatë për të cilën nevojiten veprime të përgjegjshme politike.
“Emisarit Lajçak i ritheksova qëndrimin për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, me njohjen reciproke në qendër dhe e cila garanton anëtarësimin e Kosovës në OKB. Integrimi euro-atlantik i Kosovës është rruga e vetme përpara, për të cilën, unë dhe Partia Demokratike e Kosovës mbesim thellësisht të përkushtuar!”, shkruan Krasniqi.
Përveç në Bruksel, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi në kuadër të vizitës së tij zyrtare gjatë javës do të qëndroj në edhe në Uashington.