image Krasniqi: Shkelje e sovranitetit, Qeveria të ndërmarrë çdo veprim për lirimin e policëve

Politikë

Krasniqi: Shkelje e sovranitetit, Qeveria të ndërmarrë çdo veprim për lirimin e policëve

news image

Pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga njësia speciale e Serbisë, ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i cili tha se kjo është shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas tij, ky aksion tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e thellë dhe denoncon ashpër rrëmbimin e sotëm të tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë. Kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës! Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon”, ka thënë Krasniqi.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershëm të policëve të rrëmbyer dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve tanë.

Po ashtu, Qeveria duhet që të angazhohet urgjentisht dhe me seriozitet për riparimin e raporteve me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme që sjellë normalitet në pjesën veriore të Kosovës”, thuhet në reagimin e kreut të PDK-së.

/GazetaSinjali/