Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në SHBA, është pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, njëherësh i Dërguar i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.
Kreu i PDK-së e ka falënderuar Escobar për të gjitha etapat e mbështetjes së palëkundur amerikane për Kosovën.
Në këtë takim, Memli Krasniqi ka shprehur qëndrimin e PDK-së se rreshtimi dhe koordinimi i Kosovës me SHBA-në është pa alternativë. Ai tha se SHBA i ka dhënë dhe i jep Kosovës mbështetje të vazhdueshme në procesin e integrimit dhe fuqizimit në arenën ndërkombëtare, përfshirë synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB.
“Z.Escobar e sigurova se qëndrimi i popullit të Kosovës, e pa dyshim edhe i PDK-së si lidere e opozitës, për ruajtjen dhe fuqizimin e raporteve bilaterale dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është i padiskutueshëm dhe i pandryshueshëm. Kur Shtëpia e Bardhë është adresa dhe kur aleanca me SHBA-të është rruga, afirmimi dhe suksesi kombëtar e shtetëror i Kosovës është destinacion i pashmangshëm”, tha Krasniqi.
“Gjatë takimit diskutuam edhe për situatën dhe sfidat aktuale për sigurinë e Kosovës dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve në dialog me Serbinë, për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër”, tha ai.