image Krasniqi: Nuk marrim pjesë në seancë, s'bëhemi pjesë e ikjes së Kurtit nga përgjegjësia

Politikë

Krasniqi: Nuk marrim pjesë në seancë, s’bëhemi pjesë e ikjes së Kurtit nga përgjegjësia

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përsëritur qëndrimin e partisë në lidhje me referendumin dhe seancën e thirrur nga Kurti.

Krasniqi tha se nëse Kurti po tenton të gjuajë përgjegjësinë nga Qeveria te Kuvendi, atëherë po frikësohet.

“Çfarë arsye ka që të mblidhet Kuvendi për të diskutuar më shumë për këtë temë? Për t’ia rishprehur këto qëndrime njëri-tjetrit? Apo për të gjuajtur përgjegjësinë nga Qeveria te Kuvendi? Nëse ky është qëllimi, atëherë Kryeministri po frikësohet. Sepse, kompetenca dhe autoriteti është i Qeverisë për të vendosur moslejimin e referendumit dhe për ta zbatuar atë vendim. Pse pra kërkon Kryeministri seancë, nëse ligjërisht kjo është e panevojshme? “, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se referendumi i Serbisë në Kosovë do të ishte antikushtetues dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk duhet lejuar.

Por, Kushtetutën e ruajnë instrumentet e pushtetit ekzekutiv e jo Rezolutat e Kuvendit, që nuk janë obligative as për Qeverinë. Prandaj, PDK sot nuk merr pjesë në seancë, sepse nuk duam që të bëhemi pjesë e ikjes së Kryeministrit nga përgjegjësia e tij ligjore e kushtetuese e as pjesë e shout të tij politik të paramenduar. Krejt çka duhet të bëjë Kryeministri është që të mos tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të sigurojë zbatimin e vendimit për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Ai për këto veprime e ka mbështetjen edhe të partive opozitare, andaj nuk ka nevojë të fshihet pas seancës së sotme të Kuvendit”.
/GazetaSinjali/