image Krasniqi në mbledhjen e Këshillit Drejtues: Ishte vit i krizave dhe keqqeverisjes, PDK po rritet dhe fuqizohet

Politikë

Krasniqi në mbledhjen e Këshillit Drejtues: Ishte vit i krizave dhe keqqeverisjes, PDK po rritet dhe fuqizohet

news image

Partia Demokratike e Kosovës, ka mbajtur sonte mbledhjen e Këshillit Drejtues të partisë.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se gjatë këtij viti Kosova është përballur me sfida dhe kriza të njëpasnjëshme në shumë drejtime, përfshirë energjinë, shëndetësinë, ekonominë, sigurinë, dialogun dhe diplomacinë.

Krasniqi, duke folur për situatën e krijuar në pjesën veriore të Kosovës, i bëri thirrje Qeverisë që të reagojë menjëherë dhe të heq barrikadat.

“Qeveria duhet të jetë vigjilente dhe të reagojë sa më shpejtë për të hequr barrikadat të cilat janë kthyer në punkte të Vuçiqit, si tentim për ndarjen e Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi, Krasniqi tha se PDK tashmë i ka bërë publike pesë pikat kryesore, të cilat duhet të jenë shtylla të marrëveshjes finale me Serbinë.

“Ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës sipas rregullimit aktual kushtetues; njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së; nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë; marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë – duhet të jenë shtyllat bazë të kësaj marrëveshjeje”, tha Krasniqi.

Në këtë takim, në lidhje me zhvillimet partiake dhe punën ndërmjet dy mbledhjeve të Këshillit Drejtues, raportuan Kryesia e Partisë, Grupi Parlamentar, Rinia Demokratike e Kosovës dhe Komisioni për Organizimin e PDK-së në Mërgatë.

/GazetaSinjali/