image Krasniqi në 53-vjetorin e UP-së: Shumë studentë të jashtëzakonshëm s'po e shohin të ardhmen në Kosovë

Arsim

Krasniqi në 53-vjetorin e UP-së: Shumë studentë të jashtëzakonshëm s’po e shohin të ardhmen në Kosovë

news image

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në 53-vjetorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se ky institucion formësoi identitetin kombëtar, shtroi rrugën akademike dhe zgjoi shpirtin liridashës të qytetarëve të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

I pari i PDK-së përmes një postimi në Facebook është shprehur se, UP-ja që nga themelimi, u kthye në kështjellë të dijes e rezistencës.

Tutje, ai ka thënë se fatkeqësisht, sot, shumë studentë të jashtëzakonshëm nuk po e shohin të ardhmen në Kosovë.

Postimi i plotë i tij:

Sot festojmë 53-vjetorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, institucionit që formësoi identitetin kombëtar, shtroi rrugën akademike dhe zgjoi shpirtin liridashës të qytetarëve të Kosovës.

UP-ja, që nga themelimi, u kthye në kështjellë të dijes e rezistencës, nga ku, historikisht, studentë e profesorë së bashku, artikuluan aspiratat tona kombëtare dhe projektuan rrugën e lirisë.

Kur jemi vetëm dy ditë larg nga festimi i 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shprehim mirënjohjen e madhe për të gjitha gjeneratat e profesorëve, asistentëve, studentëve dhe stafit tjetër përbërës të UP-së, për kontributin e çmueshëm drejt përmbushjes së këtij ideali.

Fatkeqësisht, sot, shumë studentë të jashtëzakonshëm nuk po e shohin të ardhmen në Kosovë. Shkaqet tashmë janë të mirënjohura: mundësitë e kufizuara të punësimit, humbja e shpresës dhe mungesa e vizionit qeverisës.

Prandaj, nëse ekziston sot një prioritet për të cilin duhet të përkushtohemi të gjithë – padyshim është rikthimi i besimit tek të rinjtë për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë dhe të mirëfilltë në vendin tonë.

Në këtë drejtim, është obligim dhe përgjegjësi e secilit prej nesh që të veprojmë dhe të angazhohemi.

Ndërtimi i një shteti i cili krijon më shumë mundësi për përmbushjen e potencialit rinor – është i vetmi çelës për të mbajtur rininë tonë të mrekullueshme në vend – e për të cilën kemi aq shumë nevojë.

Rinia ka qenë forca shtytëse në rrugën e lirisë dhe pavarësisë. Rinia duhet të jetë edhe energjia e cila ndërton dhe zhvillon vendin tonë.

Së bashku mund t’ia dalim – besoni në Kosovë!

/GazetaSinjali/