image Krasniqi me akuza ndaj qeverisë: Bota reagoi në mënyrën e duhur, por jo Kosova

Politikë

Krasniqi me akuza ndaj qeverisë: Bota reagoi në mënyrën e duhur, por jo Kosova

news image

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kritikuar Qeverinë për keqmenaxhim të situatës me koronavirus.

Ai në një konferencë për media deklaroi se PDK-ja është e gatshme që ta japë kontributin e saj në Kuvendin e Kosovës për të marrë vendime në ndihmë të qytetarëve dhe për tejkalimin sa më parë të kësaj tragjedie.

“Kosova është sot në një situatë të përkeqësuar pandemie për shkak të menaxhimit të dobët. Ata që janë marrë me hulumtimin e ecurisë së pandemisë, e dinë se kur nisi të përhapej varianti Delta, shkencëtarët botërorë paralajmëruan për rrezikun e tij, për ashpërsinë e tij, për shpejtësinë e shpërndarjes së tij. Dhe, bota u përgatit për ta luftuar atë. Sepse, i dinte karakteristikat e këtij varianti. Sepse, përhapja e tij ishte mes 60 deri 80 % më e lartë sesa variantet tjera. Sepse, nuk kursente as fëmijët. Sepse, ishte mutacion që ende nuk dihej se sa do t’i rezistonte vaksinës dhe sa do të parandalohej nga vaksinimi”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se bota reagoi në mënyrën e duhur, por jo edhe Kosova, qeveria e së cilës i injoroi paralajmërimet nga OBSH-ja dhe institucioneve tjera shëndetësore ndërkombëtare.

“Më 29 qershor, në Kosovë janë shënuar dy rastet e para me variantin Delta, trend ky që ka filluar të përhapet e të shtohet në mënyrë drastike. Më 30 korrik, 90 % e rasteve aktive ishin me këtë variant. Për ta kuptuar në shifra shkallën e përhapjes së infektimit nga varianti Delta, mjafton të analizohet periudha një-mujore korrik-gusht. Më 31 korrik, në Kosovë patëm 92 raste pozitive, me gjithsej 442 raste aktive në nivel vendi. Më 31 gusht, patëm 1.383 raste pozitive, me gjithsej 26.886 raste aktive në nivel vendi. Por, mjerisht, të gjitha këto paralajmërime nuk i pa Qeveria e Kosovës, nuk i kushtoi vëmendje rrezikut të përhapjes së këtij varianti, dhe nuk ndërmori masat adekuate për të parandaluar rrezikun e fluksit të infektimit”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se keqmenaxhimi më i madh është bërë me mënyrën e sigurimit të vaksinave, duke pasur parasysh se Kosova e ka pothuajse shkallën më të ulët të vaksinimit në botë dhe fatkeqësisht shkallën më të lartë të vdekjeve dhe infektimeve ditëve të fundit.

“Gjatë kësaj periudhe nuk është bërë përpjekje për të siguruar numër më të madh të vaksinave, aq të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve.Për më tepër, nuk është bërë kurrfarë administrimi i dozave ekzistuese, siç dëshmoi dje skandali i asgjësimit të afër 140 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca. Sot, mungesa e vaksinave është evidente, dhe pamundësia e qytetarëve për të caktuar termin për vaksinim – vazhdon t’i mbajë peng një numër të madh të tyre”, theksoi ai.

Krasniqi tha se Qeveria ka dështuar në administrimin e procesit të vaksinimit duke mos ofruar vaksinim mobil dhe duke mos bërë fushatë masive të vetëdijesimit për rëndësinë e vaksinimit si mbrojtja e vetme dhe e paalternativë përballë COVID-19.

“Vetëm prej dje Ministrisë së Shëndetësisë i është kujtuar që të marrë vendim për ta zgjatur orarin e vaksinimit edhe gjatë fundjavës. Por, dallimi është se tash kemi afër 28 mijë raste aktive, e kjo do të duhet të ndërmerrej kur ende kishim gjasë për të parandaluar përhapjen e këtyre përmasave”, tha ai.

Lideri i PDK-së shtoi se keqmenaxhim ka pasur edhe në administrimin e kapaciteteve shëndetësore, pasi spitalet rajonale kanë qenë të papërgatitura për një fluks të ri, kanë qenë të pafurnizuara dhe në deficite me personel të nevojshëm shëndetësor.

“Sot, në këtë rritje enorme të rasteve klinike, siç po raportohet, është sfidë që të gjendet një shtrat në Klinikën Infektive, ose në atë të Pulmologjisë. Situatën e rënduar me raste e shohim veçanërisht në spitalet rajonale. Ajo çfarë po shohim në rajonin e Gjakovës, Mitrovicës, Ferizajt dhe në vetë QKUK-në, tregon qartë se tashmë i gjithë vendi është përfshirë në një valë të re të rritjes së numrit të rasteve. Ky virus nuk është problem lokal e rajonal, por problem kombëtar”, tha Krasniqi.

/Gazeta Sinjali/