image Krasniqi: Mbajtja e referendumit të Serbisë është antikushtetues, Qeveria të ofrojë zgjidhje

Politikë

Krasniqi: Mbajtja e referendumit të Serbisë është antikushtetues, Qeveria të ofrojë zgjidhje

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur pas kërkesës së BE-së dhe shteteve të QUINT-it lidhur me mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë pavarësisht kërkesës

Krasniqi në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se një referendum i tillë do të përbënte shkelje të sovraniteti.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj“, tha ai për Sinjalin.

Krasniqi shtoi se Qeveria duhet të ofrojë zgjidhje të përshtatshme, por në pajtim me obligimet e Kosovës si shtet i pavarur.

Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, tha tutje Krasniqi.

Komuniteti ndërkombëtar sot tha se me keqardhje ka pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar. Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

/GazetaSinjali/