image Krasniqi: Kushtetuesja mund ta marrë vendimin final për dekret para 28 majit

Kosovë

Aktgjykimi/ Krasniqi: Kushtetuesja mund ta marrë vendimin final për dekret para 28 majit

news image

Gjykata Kushtetuese mund të merr vendim përfundimtar para datës 28 maj, afat ky i masës së përkohshme që është vendosur dje për dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për mandatarin Avdullah Hoti për kryeministër.

Analisti nga Demokracia Plus, Albert Krasniqi beson se vendimi përfundimtar do të jetë para afatit kohor kur është caktuar si masë e përkohshme.

Përderisa Krasniqi si njohës i çështjes kushtetuese shprehet se afati i masës së përkohshme deri më 28 maj, nuk do të duhej të merret si afat përfundimtar, sepse është një afat optimal dhe orientues brenda të cilit Gjykata mund të dalë me një vendim.

“Afati deri më 28 maj, i cili është caktua prej Gjykatës për ta mbajtur këtë masë të përkohshme të pezullimit nuk do të thotë që është afati i fundit kur Gjykata mund të dal me vendimin përfundimtar. Pasi mundet fare lehtë që të kemi një vendim para kësaj date, por po ashtu mund të kemi vendim edhe pas kësaj date. Ka raste kur Gjykata ka nxjerrë vendime për ta zgjatur këtë masën e përkohshme për shkak se nuk ka qenë i gatshëm aktgjykimi përfundimtar. Mirëpo duke ditur prioritetin e kësaj lëndë, unë shpresoj që vendimi përfundimtar do të jetë para 28 majit”, deklaron Krasniqi për KP.

Vendimi i përkohshëm i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, Krasniqi thotë se është një praktikë e zakonshme nga ana e kësaj gjykata, sipas të cilit një masë e tillë ishte edhe kur është zgjedhur kryetar i kuvendit në vitin 2014, Isa Mustafa.

Megjithatë, sipas Krasniqit, ky vendim djeshëm nga Gjykata i kontribuon edhe uljes së tensioneve politike./Gazeta Sinjali/