image Krasniqi-Kurtit: Gjej zgjidhje, kthej fëmijët në shkolla

Politikë

Krasniqi-Kurtit: Gjej zgjidhje, kthej fëmijët në shkolla

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka kërkuar sot Kryeministrit Kurti, që të gjejë zgjidhje sa më parë për ti rikthyer fëmijët nëpër shkolla.

Krasniqi ka thënë se edhe pse nuk është përgjegjësi e opozitës, në këtë pikë do të marrin përgjegjësi bashkë me të.

“Gjej zgjidhje. Po të mbështesim”, ka thënë Krasniqi.

“E dimë rezultatin e zgjedhjeve. E kemi pranuar. E kemi njohur. Tash po të njohim edhe ty. Dhe nuk ta kemi frikën në asnjë pikë as presje. Kështu që gjejë zgjidhje se zgjidhje ka dhe ti e ke në dorë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se fushëbeteja e fundit politike në të cilën do të dëshironte të të ballafaqohej është pikërisht kjo për çka jemi mbledhë sot, sepse sado që mund të argumentojmë këtu pro e kundër, ka një fakt më të madh jashtë kësaj salle, e që është më i rëndësishmi.

“E ai fakt është se sot, rreth 300 mijë nxënës në Kosovë janë në shtëpi, e do të duhej të ishin në shkollë që 15 ditë me radhë. Prandaj nuk ka lavdi politike prej ballafaqimit tonë si pozitë e opozitë, përderisa ky realitet sot i shoqëron qytetarët e Kosovës, prindërit, nxënësit e mësimdhënësit tanë. Por ka momente në jetën politike, kur gjërat s’bëhen për shkak të lavdisë. Bëhen për shkak të nevojës. Bëhen për shkak të përgjegjësisë që kemi”, ka thënë lideri i PDK-së.

Lideri i PDK-së i ka kërkuar Kryeministrit që të gjejë zgjidhje, e jo të bëjë bllokadë.

“Kjo është nevoja reale e çdo qytetari sot për sot. Dhe ne të kemi ftuar këtu sepse ti je çelësi për ta përmbushur këtë nevojë. Edhe nëse s’je problemi, je zgjidhja. Prandaj i nxitur nga nevoja e qytetarëve po ta kërkoj dhe po të them që duhet ta zgjidhësh nyjën, pjesë e të cilës je bërë edhe vet. Kështu ecet përpara. Duke bërë zgjidhje. Jo duke bërë bllokadë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi, duke folur për mësimdhënësit, ka thënë se mësuesit kanë qenë të parët që i kanë jep formë idesë tonë kombëtare për liri e pavarësi.

“Mësuesit kanë qenë kategori shoqërore që punën e vet kurrë nuk e kanë pasur veç punë formale e shkencore. Por edhe morale. Edhe kombëtare. Kjo kategori shoqëore na ka jep shembull se qysh i ndjek njeriu i qytetëruar besimet e veta. Këta janë të parët që kanë besuar në të ardhmen e këtij kombi. Dhe i kanë nejt mbrapa besimit të tyre, deri sa ai besim ka marrë formë në këtë Republikë të pavarur që ti sot e udhëheqë. Prandaj, mënyra qysh ti ju ke qasë trajtimit të kërkesave të tyre, ka qenë dhe është mënyrë e gabuar. Prandaj ndodhemi në këtë situatë”, ka thënë Krasniqi.

/GazetaSinjali/