Në 5-vjetorin e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi ka folur para mediave pas aksionit simbolik të PSD-së ku u vendosën citate të zyrtarëve të VV-së lidhur me kërkesën për drejtësi për vdekjen e Astrit Deharit.
Krasniqi tha se kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë tepër pushtet dhe nuk kanë bërë asnjë veprim për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, shkruan Gazeta Sinjali.
“Astrit Dehari është emri që Albin Kurti vendosi ta përdor vetëm kur ky emër u bë i përdorshëm elektoralisht dhe politikisht. Astrit Dehari është emri që Albin Kurti nuk e përmendi asnjë herë të vetme prej se e siguroi pushtetin prej 51% të votave. Ka tetë muaj që Albin Kurti e Albulena Haxhiu kanë tepër pushtet ndërkohë nuk kanë bërë asnjë veprim për zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit”, ka thënë ai.
Krasniqi tutje ka thënë se kryetari i VV-së, Albin Kurti e ka përdorur elektoralisht emrin e Astrit Deharit.
“Kur iu ka dashtë për efekte elektorale rasti i Astritit, Albin Kurtit I është dukur shumë tre vjet padrejtësi për Astritin, ndërkaq Albulena Haxhiu deklaronte se përvjetori i 5-të nuk duhet me na gjetë duke kërku ende drjetësi. Nëse do të ishim me qeveri tjetër sot do të kishte protesta e akuza prej Vetëvendosjes se pse s’po vihet drejtësi për Astritin. E kemi një Vetëvendosje që tani kërkon përkujtim dhe jo drejtësi për Astritin sepse me kërku drejtësi nënkupton me kërku drejtësi prej vetes prej qeverisë Kurti”, tha ai.
Ish-deputeti i PSD-së, tha poashtu se Kurti dhe Haxhiu duhet të mbajnë përgjegjësi për mos vënjen e drejtësisë për rastin Dehari.
“Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu duhet me mbajt përgjegjësi për mosveprim në vënjen e drejtësisë për rastin e Astritit ose duhet me dalë para opinionit me tregu qysh kanë manipulu me vdekjen e shokut tonë Astrit Dehari”, ka thënë ai. /GazetaSinjali/