Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi para mediave në hollin e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka shtuar rrugën për autonomi politike për serbët në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas tij, veprimet e Kurtit kanë qenë të pakoordinuara dhe në kundërshtim me rekomandime dhe diskutimit që qeveria i ka pasur me partnerët ndërkombëtar, të cilat kanë shkaktuar krizë.
“Veprimet që kanë filluar nga java e kaluar, e që kanë qenë të pakoordinuara, në fakt në kundërshtim me të gjitha rekomandimet dhe diskutimet që qeveria dhe akterët i kanë pasur me partnerët ndërkombëtarë – e kanë krijuar këtë situatë të krizës. Kjo s’është kriza e parë. Ne po jetojmë nga kriza në krizë”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, me Albin Kurtin si kryeministër Kosova ka telashe në raport me partnerët ndërkombëtar.
“Albin Kurtin kryeministër ne në raport me partnerët kryesorë të Kosovës ne kemi vetëm telashe. Vetë kriza. Që nga viti i kaluar. Nuk funksionon aleanca kështu. Nuk funksionon një shtet i pavarur që dëshiron me pasë një perspektivë euro-atlantike. Sepse, rrezikohet kjo perspektivë”, ka thënë ai.
Sipas Krasniqit, sanksionet ndaj Kosovës janë shqetësim për çdo qytetar.
“Sanksionet ndaj Kosovës janë shqetësim për çdo qytetar. Nuk jemi më sovran kur na përjashton NATO nga ushtrimet ushtarake të saj. Nuk mund të reduktohet sovraniteti prej një njeriu i cili insiston me hy në tri zyre të caktuara. Pastaj është një manipulim i madh”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka ftuar kryeministrin që të deklarohet se pse nuk e dërgon Kryetarin e Mitrovicës së Veriut në zyrat komunale.
“E ftoj kryeministrin të na tregoj pse nuk po e çon Kryetarin e Mitrovicës së Veriut në zyrat komunale. Ai është njëjtë në zyrat dytësore, siç është edhe Kryetari i Zveçanit dhe Zubin Potokut. E kanë ngujuar atje një Kryetar të Leposaviçit, çfarë pune është duke bërë ai”, tha Krasniqi.
Sipas tij, Kurti është konfrontuar me tërë botën duke shkaktuar krizë e cila ka rrezikuar sigurisë dhe ka sjellë reagim kriminal nga ana e Serbisë.
“Është konfrontu me tërë botën, e ka shkaktu një krizë, e ka rreziku sigurinë, e ka sjellë një kundër reagim kriminal nga ana e Serbisë, me banda të cilat janë duke mbajtë peng të gjithë qytetarët, nga të gjitha komunitetet. Dhe, cila është përgjigja e tij? Përgjigja e tij ka me qenë tërheqja. Ai çdo veprim e ka të tillë. E krijon krizën, pastaj tërhiqet dhe na e lë problemin dhe na e degradon situatën për nja pesë hapa prapa. Kjo është shtrim për autonomi politike për serbët. Nuk ka të bëjë më me asociacionin”, ka thënë Memli Krasniqi.