Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka filluar me vizitat e tij zyrtare, me ç’rast ka zhvilluar takime me partitë liberale të Holandës dhe Belgjikës.
Përmes një postimi në facebook, ai ka njoftuar se në Holandë dhe në Belgjikë ka takuar dy partitë më të mëdha të këtyre qeverive.
“Në Holandë takova partitë VVD dhe D66, dy nga partitë më të mëdha që përbëjnë qeverinë e këtij shteti. Ndërkaq, në Belgjikë takova përfaqësuesit e Open VLD, partisë që udhëheqë me qeverinë belge. Të tri këto parti janë anëtare të rëndësishme të Partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE), anëtare e së cilës synojmë të bëhemi edhe ne si PDK”, ka shkruar ai.
Ai ka potencuar se pjesë e diskutimeve ishte roli i PDK-së, si parti liderë në opozitën e Kosovës dhe aspiratat e vendit drejt integrimeve euro-atlantike.
Tutje, ka shtuar se fuqizimi i PDK-së në skenën politike evropiane është i nevojshëm dhe në shërbim të Kosovës.