Për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, sipas të cilit cenojnë sovranitetin juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës.
Kreu i PDK-së, theksoi se zhvillimet e sotme në veri të vendit shënojnë një akt të paprecedent, jo vetëm të cenimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe të cenimit të rendit publik, i cili është bazë për sigurinë e jetës së të gjithë qytetarëve të asaj zone, pa dallim.
“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime dhe në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje”, tha Krasniqi.
Më tej kryetari i PDK-së ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që t’ju drejtohet qytetarëve për t’i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndermarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit.
“Situata është duke ndryshuar nga ora në orë dhe rreziku i përshkallëzimit është evident. Kjo duhet të shmanget dhe qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë”, tha Krasniqi.