Deputeti nga radhët e komunitetit egjiptian, Elbert Krasniqi, në seancën e sotme plenare ka thënë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë vrarë dhe janë zhdukur nga forcat serbe rreth 260 persona nga komunitetet, rom, ashkali dhe egjiptas, shkruan Gazeta Sinjali.
“Regjimi okupator serb gjatë luftës së fundit në Kosovë vrau më shumë se 12 mijë njerëz. Mbi 95 për qind ishin civilë të pambrojtur, fëmijë, gra e të moshuar e më shumë se 300 mijë të rrëmbyer dhe më shumë se 1 mijë e 600 persona janë ende të pagjetur. E në mesin e atyre që e humbën jetën dhe që u zhdukën, janë edhe 260 persona nga radhët e komuniteteve, egjiptas, ashkali dhe rom’, ka thënë Krasniqi.
Ai ka përmendur familjet Beqiri dhe Sykaj, anëtarët e së cilës janë zhdukur gjatë luftës së fundit nga forcat serbe. Sipas tij, që 21 vjet askush nuk është akuzuar për këto krime.
“Plagët e shumë familjeve kosovare vazhdojnë të mbesin të pambyllura, e në mesin e familjeve kosovare edhe ato egjiptas nuk dinë ende për fatin e më të dashurve të tyre. Para pak kohe ndërroi jetë nëna Zyrafete Beqiri, e cila vdiq nuk mos e ditur se ku gjenden më të dashurit e saj, bashkëshorti i saj, Skender Beqiri dhe të bijët e saj, Mahiri, Kujtimi, Petriti dhe Arbern Beqiri të kidnapuar në Krushë nga forcat serbe në vitin 1999. Fmailja Sykaj nga Novosella e Pejës, pas 21 viteve nuk gjenë qetësinë për vrasjen e Qerim Sykaj nga njësitet famëkeqe, “dora e zezë”. Kur do të ketë drejtësi për këto familje, Beqiri dhe Sykaj dhe për shumë familje. Për viktimat ende askush nuk ka dal përpara drejtësisë”, ka thënë deputeti Krasniqi./Gazeta Sinjali/