image KQZ tregon se pse numri i votuesve të regjistruar ishte më i madh se numri total i popullsisë

KQZ tregon se pse numri i votuesve të regjistruar ishte më i madh se numri total i popullsisë

news image

Saktësisht 1 milion e 794 mijë e 862 persona kanë pasur të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.

Mirëpo, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Kosova ka më pak banorë sesa votues të regjistruar.

Në raportin Vlerësimi i Popullsisë, 2019, sipas ASK-së, popullsia e Kosovës është 1 milion e 782 mijë 115 banorë rezidentë.

Për këtë mospërputhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka dhënë një përgjigje në rubrikën “Pyetjet më të shpeshta” në web-faqen e këtij institucioni.

KQZ thotë se në listën e votuesve të regjistruar hyjnë edhe ata që jetojnë jashtë vendit.

“Lista Votuese dhe Regjistrimi i Popullsisë duhet të shikohen ndaras. Në regjistrimin e popullsisë janë të përfshirë vetëm banorët rezident në kohën kur është bërë regjistrimi, pra nuk përfshihen ata që jetojnë jashtë vendit (diaspora), ndërsa në Listën Votuese përfshihen shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve obligohet ta krijojë listën votuese në bazë të të dhënave të Regjistrit Civil të Kosovës.

Pasi t’i pranojë të dhënat nga Regjistri Civil, KQZ përcakton qendrat e votimit të votuesve, duke pasur parasysh që qytetarët të mund të votojnë sa më afër vendbanimit të tyre.

Për t’i parë pyetjet më të shpeshta që i bëhen KQZ-së dhe përgjigjet e tyre, klikoni KËTU./Gazeta Sinjali/