image KQZ: Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë

KQZ: Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë

news image

Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, në orën 07:00 të mëngjesit, shkruan Gazeta Sinjali.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një konferencë për media.

“Ju njoftoj se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet. Numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime. Sot në Republikën e Kosovës mbahen Zgjedhjet Lokale të shtatat me radhë për Kuvende Komunale dhe të pestat për Kryetarë të Komunave.”

“Zgjedhjet mbahen për të zgjedhur 38 Kryetarët e Komunave dhe 1,002 anëtarët e 38 Kuvendeve Komunale. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është: 5 mijë e 364 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për Kryetar Komune dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.”

Me këtë rast, Elezi u bëri apel të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të votojnë sot.

“Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 1 milion e 885 mijë e 448. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e votës, dhe të dalin për të votuar”, tha Elezi.

“Gjatë ditës së sotme, me qëllim të informimit të rregullt për pjesëmarrjen në votime dhe ecurinë e procesit zgjedhor, KQZ-ja do të mbajë konferenca në orën 11:30; 15:30 dhe 19:30, ndërsa për konferencën e pestë, lidhur me publikimin e rezultateve prelimanre, do t’iu njoftojmë me kohë.”/Gazeta Sinjali/