image KQZ: Numërimi i votave ka përfunduar të dielën, balotazhi mbahet katër javë pas raundit të parë

KQZ: Numërimi i votave ka përfunduar të dielën, balotazhi mbahet katër javë pas raundit të parë

news image

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka njoftuar se procesi i numërimit të fletëvotimeve është përmbyllur të dielën në mbrëmje në të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës.

Ai ka shtuar se përmes këtij procesi do të dihet për gjendjen e çdo vendvotimi në mënyrë që të evidentohen edhe parregullsitë eventuale.

“Rezultatet preliminare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet e subjekteve politike për Kuvende Komunale janë shfaqur në aplikacionin e KQZ-së. Ka edhe raste kur nuk janë procesuar të dhënat nga disa vendvotime. Këto janë raste të rralla, por po përpiqemi që të bëhet sa më shpejt përditësimi i tyre. Aktualisht, pasi të dielën në mbrëmje janë përmbyllura të gjitha procedurat në vendvotime, përfshirë edhe numërimin e fletëvotimeve nga Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe atyre për Kuvende Komunale, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po bëhet pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet.”.

“Në fund të pranimit të materialit zgjedhor, do të kemi një raport të detajuar lidhur me gjetjet. Përveç pranimit të materialit zgjedhor, aktualisht po bëhet edhe futja e të dhënave në sistem nga këto vendvotime”, tha ai.

Tutje Elezi ka pohuar se asnjë nga kandidatët që nuk fiton më shumë se 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, atëherë KQZ-ja do të organizojë raundin e dytë të zgjedhjeve. Si dhe njëkohësisht tha se nuk mund të japin një datë të saktë se kur do të përfundojë certifikimi dhe numërimi i votave.

“Po sipas ligjit, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune mbahet ditën e diele, katër javë pas raundit të parë. Prandaj, është e rëndësishme që KQZ-ja të përqëndrohet në përfundimin e procedurave lidhur me Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave në mënyrë që të shpallim dhe certifikojmë rezultatet përfundimtare, për ta ditur saktë se cilat janë komunat në të cilat duhet të mbahet raundi i dytë dhe që sipas ligjit kjo duhet të bëhet katër javë pas raundit të parë.”,

“Ne nuk mund të japim një datë të saktë se sa ditë i duhen KQZ-së, fillimisht, për të shpallur rezultatet përfundimtare për Kryetarë të Komunave dhe pastaj, për certifikimin e tyre. KQZ-ja do të punojë maksimalisht që ne të arrijmë afatet ligjore, në mënyrë që të përgatitemi për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, që sipas ligjit duhet të mbahet katër javë pas raundit të dytë.”, tha ai.

/Gazeta Sinjali/