Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se sot do të mbajë një mbledhje për përgaditjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të mbahen më 14 shkurt, shkruan Gazeta Sinjali.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Gazetën Sinjali ka bërë të ditur se në këtë takim do të vendoset për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore.
“KQZ-ja, fillimisht vendos për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore, duke i shkurtuar këto afate dhe përshtatur me ditët që do t’i kemi në dispozicion për përgatitjen e zgjedhjeve, si dhe do të miratohet plani operacional, ku janë të listuara të gjitha aktivitetet që do të kryhen nga KQZ-ja që nga dita e parë dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor”, tha Elezi.
Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, kurse po të njëjtën ditë, u.d e Presidentit, Vjosa Osmani ka shpërndarë legjislaturën e shtatë dhe caktoi 14 shkurtin datë për mbajtjen e zgjedhjeve./Gazeta Sinjali/