image KQZ-ja sot pritet të vendosë për rinumërim edhe të 58 vendvotimeve

KQZ-ja sot pritet të vendosë për rinumërim edhe të 58 vendvotimeve

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që sot të vendosë për të çuar në rinumërim edhe 58 vendvotime të tjera.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Gazetën Sinjali se rekomandimi nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve për rinumërimin e 58 vendvotimeve të tjera pritet të paraqitet në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

“Deri te ky rekomandim është ardhur pasi nga verifikimi i bazës së të dhënave dhe krahasimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve, rezulton se janë 58 vendvotime tek të cilat nuk janë shënuar votat për kandidatët ndërsa subjektit ka të tilla në formularë të rezultateve”, tha Elezi për Sinjali.

Elezi tha se sipas të gjitha të gjasave, kjo do të zgjasë kohën për përfundimin e rinumërimit, porse po punohet maksimalisht që në fillim të javës KQZ-ja të mund të shpall rezultatet përfundimtare.

Nëse KQZ-ja sot vendos për të dërguar në rinumërim edhe 58 vendvotime, numri i përgjithshëm i vendvotimeve që do të rinumërohen do të shkojë në 564 sosh.

Rekomandimi për rinumërimin e parë përfshinte 12 vendvotime javën e kaluar, ndërkohë që në fillim të kësaj jave është vendosur për të quar në rinumërim edhe 494 vendvotime të tjera, ndërkohë që sot pritet të vendoset për rinumërim edhe të 58 vendvotimeve të reja. /Gazeta Sinjali/