image KQZ dhe institucionet e sigurisë shprehen të gatshme për ditën e zgjedhjeve
[wp-story id="814678"]

Kosovë

Mobilizim/ KQZ dhe institucionet e sigurisë shprehen të gatshme për ditën e zgjedhjeve

news image

Në ditën e hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të Policisë, Prokurorisë së Shtetit, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Këshillit Gjyqësor, ku është diskutuar lidhur me programin orientues të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do mbahen më 6 tetor.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi, u shpreh optimist për ecurinë e përgatitjeve për  zgjedhjet.

 “Përgatitjet për këto zgjedhje të jashtëzakonshme apo të parakohshme që implikojnë apo shtrojnë si nevojë imanente edhe veprimet e jashtëzakonshme janë duke shkuar mirë përgjithësisht sepse një proces i tillë i madh ngërthen aspektet që nga logjistika deri te aspektet ligjore, procedural dhe tjera”, u shpreh Halimi

Koordinatori për operacione nga Policia e Kosovës, Afrim Ahmeti, bëri të ditur se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për ditën e zgjedhjeve.

 “Të gjithë zyrtarët policor nga drejtoritë rajonale dhe stacionet policore kem mbajtur takimin ku i kemi ndarë detyrat për të gjithë zyrtarët që do angazhohen në ditën e zgjedhjeve. Në këtë fazë kërkojmë nga të gjithë që të ketë bashkëpunim, dhe të ketë raportim të rasteve eventuale që mund të paraqiten si gjatë fushatës ashtu edhe gjatë zgjedhjeve. Policia është e gatshme tu përgjigjet të gjitha situatave”, deklaroi ai.

Ndërsa në emër të Kryeprokurorit të Shtetit foli koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, e cila inkurajoi qytetarët që të paraqesin secilin rast që ka të bëjë me manipulimin e votave.

 “Kemi bashkërenduar të gjitha veprimet e planit operativ të brendshëm të Kryeprokurorit të Shtetit, njëkohësisht jemi në zbatim të procedurave standarde të veprimit me Policinë e Kosovës, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që në mënyrë permanente të paraqesin çdo rast që ka të bëjë me çështjen e manipulimit të votës, ngase Prokurori i Shtetit ka krijuar atë praktik të mirë të mbrojtjes së votës së qytetarëve”, ka thënë Pula.

Ndërsa udhëheqësja a e Panelit për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), Gyltene Sylejmani, tha se deri më tani kanë pranuar 86 ankesa.

“Kemi marr vendim për zgjatjen e orarit të punës dhe deri në këtë fazë të gjitha vendimet lidhur me planin strategjik janë zbatuar. Paneli Zgjedhor po ashtu ka zbatuar planin strategjik lidhur me zbatimin e ankesave dhe Parashtesave deri në këtë fazë të procedurës ka vendosur 86 ankesa”, tha Sylejmani.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe përfaqësues të Këshillit të Gjyqësorit me ç’rast thanë se  janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ditën e zgjedhjeve. /Gazeta Sinjali/