image KQZ deklarohet për rinumërimin e votave

Kosovë

Ankesat/ KQZ deklarohet për rinumërimin e votave

news image

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka për vendimin e PZAP-së ka thënë se që të rinumërohen 1472 vendvotime nuk ka shkuar asnjë ankesë në Gjykatën Supreme dhe si rrjedhojë, do të vazhdohet me këtë proces.

“Ne kemi pranuar dy vendime të Panelit Zgjedhor. Me një vendim ne jemi obliguar që të rinumërojmë një numër të caktuar të kutive dhe me sa kam informatë nga Gjykata Supreme, deri më tani nuk është ankuar askush dhe ky vendim bëhet i plotfuqishëm dhe ne jemi të obliguar që t’i rinumërojmë këto kuti”, ka thënë Daka.

Mësohet se nesër pritet që KQZ të merr vendim të nisë rinumërimin e këtyre votave. Ndërsa, për vendimin tjetër në favor të ankesës së koalicionit Nisma-AKR-PD lidhur me votat e ardhura nga Serbia, kryetarja e KQZ-së tha se për këtë vendim ka ankesë në Supreme dhe se duhet të pritet, duke mos dhënë më shumë detaje.

Ndryshe, anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga LVV, Adnan Rrustemi, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të shpallur nga KQZ si deputetë të listës fituese të kësaj partie, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP.

Ai shkruan se më 7 nëntor, KQZ shpalli rezultatet përfundimtare, duke nxjerrë Lëvizjen me 32 deputetë, aq sa i dha populli.

“Të bindur se këto vendime janë politike në thelb e në formë, tre kandidatët tanë, Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të shpallur nga KQZ si deputetë të Listës fituese të Lëvizjes, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së, e në mbrojtje të së drejtës së tyre si deputetë të zgjedhur, si dhe votën e qytetarëve për Lëvizjen Vetëvendosje”, shkruan Rrustemi./Gazeta Sinjali/