image KQZ: Asgjësohen materialet zgjedhore të vitit 2007 dhe 2009

Kosovë

KQZ: Asgjësohen materialet zgjedhore të vitit 2007 dhe 2009

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të asgjësojë materialet zgjedhore të vitit 2007 dhe 2009, transmeton Gazeta Sinjali.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka i ka rekomanduar Sekretariatit të këtij institucioni që të sjellë një vendim për shkatërrimin e materialeve zgjedhore edhe të zgjedhjeve që janë mbajtur në vitin 2010, pasi sipas saj, në dhjetor të atij viti parashkruhen të gjitha lëndët që nuk janë përfunduar.

Në mbledhjen e sotme, KQZ ka votuar që të asgjësojë fletëvotimet e vlefshme dhe të pavlefshme që kanë mbetur pa u plotësuar, ato të dëmtuara, libra të votimit, vula zyrtare e të tjera, që janë nga zgjedhjet e vitit 2007 dhe 2009.

“Këto materiale janë asgjësuar shumë moti, janë ato që kanë qenë objekt i hetimit në vitin 2007 për zgjedhjet e vitit 2007, të vitit 2009 e shumë shpejt unë i kisha rekomanduar sekretariatit që të komunikoj me Këshillin Gjyqësor dhe ta kemi një vendim për shkatërrimin e materialeve zgjedhore të cilat janë ruajtur për zgjedhjet e vitit 2010 sepse ato me 12 dhjetor të këtij viti parashkruhen. Të gjitha lëndët të cilat kanë mbetur ende pa u përfunduar parashkruhen sepse kalon afati dhe parashkrimi absolut arrihet pra afati prej 10 viteve kështu që ato të gjitha duhet të shkatërrohen me vendim apo pa vendim të KQZ-së sepse janë të parashkruara. Kërkoni nga KGJK ka qenë në atë kohë në fuqi ligji ku vepra penale ka mundur të dënohet me më shumti 5 vite”, tha Daka.

Gjithashtu ajo bëri të ditur se do të ruhen materialet që janë të papërdorura.

“Me këtë vendim asgjësohen materiali zgjedhor dhe ato janë fletëvotime të vlefshme dhe të pavlefshme që kanë mbetur pa u plotësuar, të zbrazëta të dëmtuara, kopja dhe origjinali të përputhjes të të dhënave dhe rezultatet dhe kopjet e tyre, lista e gjerë e komunave, lista përfundimtare të votuesve, librat e votimit, votimet e papërdorura , fletëvotime me kusht, vulat zyrtare, ndërkaq do të ruhen materialet që janë pako të votimit, materiali i papërdorur zgjedhor, vula zyrtare do përdoren në të ardhmen , dosjet e formularëve të rezultateve, zarfet e bardhë”, tha ajo.

Zgjedhjet të cilat pritet të mbahen më 29 nëntor në Podujevë, ishin paraparë të mbahen më 15 mars të këtij viti, por për shkak të përhapjes së COVID-19, ato janë shtyrë.

KQZ sot ka votuar edhe për ndërrimin e vulës për këto zgjedhje, ku anëtari Alim Rama bëri të ditur se kjo bartë koston prej 500 euro.

“Vula përbënë datën e 15 marsit që janë përdorur për vendvotime dhe për qendrat e votimit, kështu që Këshilli rekomandon ndërrimin e datës për Podujevë, pagesa shtesë prej 500 eurosh”, tha Rama.

Por, kryetarja e KQZ-së nuk votoi për një gjë të tillë, meqë sipas saj, është shpenzim i panevojshëm dhe mund të përdoret vula e vjetër sepse ajo nuk është shfrytëzuar në mars.

“Edhe pse mua më duket e panevojshme gjithsesi është vendim e rekomandimi i Këshillit, për mua është e panevojshme sepse ato vula nuk janë përdorur”, përfundoi Daka. /Gazeta Sinjali/